Gjatë vizitës në Athinë ku pati takim me shqiptarët e Diasporës, Sali Berisha dha intervista për median greke. Në intervistën për “To Manifesto”, Berisha preku aspektet më të rëndësishme të marrëdhënieve mes Athinës dhe Tiranës, për zgjedhjet e ardhshme dhe për zhvillimet politike në vendin fqinj. I pyetur për shqiptarët në Greqi, Berisha tha se do të përpiqet të gjejë zgjidhje për çështjet e pensioneve.
”Do të krijojmë kushtet më të mira të mundshme për t’i kthyer ata, investimet e tyre dhe miqtë e tyre grekë që të vijnë dhe të investojnë në vendin tonë. Në vitet 2009-2010, shumë erdhën dhe investuan në Shqipëri. Marrëdhëniet ekonomike greko-shqiptare po zhvilloheshin shpejt dhe kishte investime shumë të rëndësishme në vendin tonë, shumica e të cilave tani kanë ikur”, tha Berisha.
Gjithashtu, ai theksoi se do të përpiqet të bashkëpunojë me qeverinë greke për çështjen e gjuhës shqipe për të gjetur mundësi të pagesave për mësuesit ose çdo gjë që është e nevojshme për t’i ndihmuar bashkëatdhetarët e tij të shpëtojnë gjuhën dhe kulturën e tyre në disa aspekte. Në lidhje me atë se si ka ndërmend të shfrytëzojë pjesëmarrjen e partisë së tij në Partinë Popullore Evropiane (PPE) organizatën më të madhe politike evropiane, për të ndryshuar imazhin e vendit të tij, Berisha ishte shumë i qartë:
”Shqipëria duhet fillimisht të shpërbëjë diktaturën narkotike të saj. Shqipëria nuk duhet të eksportojë kriminalitet tek fqinjët dhe në Evropë. Nëse nuk e bën këtë, Shqipëria nuk ka mundësi të përmirësojë imazhin e saj. Tolerancë zero ndaj krimit të organizuar! Shteti i së drejtës, zbatimi i ligjit do të jetë prioriteti ynë kryesor dhe sigurisht, sapo Shqipëria të arrijë të shpëtojë nga diktatura e drogës dhe të bëhet një shtet i së drejtës, reputacioni i saj do të ndryshojë shpejt dhe ne do të jemi një vend vërtet të respektuar. Shqipëria nuk duhet të bëhet kurrë një qendër e trafikut dhe drogës. Shteti nuk duhet të jetë partner me organizatat kriminale, siç ndodh sot në Shqipëri”,-tha Berisha.