Sali Berisha ka reaguar nga Gjermania, ku ndodhet për një vizitë zyrtare për takimin që kryeministri Edi Rama zhvilloi me të rinjtë. Ish-kryeministri shprehet se Rama nuk shpalosi asnjë program për të shmangur largimin e të rinjve dhe punësimin e tyre, por thjesht sulmoi opozitën me gjithfarëlloj termash.
“Sot, para të rinjve, Edi Rama, nuk foli asgjë për punësimin e tyre, injoroi faktin se ky është sundimtari i vetëm që ka kryer një gjenocid ndaj të rinjve shqiptarë, duke larguar në 10 vite rreth 600 mijë prej tyre nga Shqipëria.
Para këtyre që kanë mbetur nuk tha një fjalë për punësimin e tyre, për ëndrrat e tyre. Në kohën e zhvillimeve të mëdha teknologjike, resë kompjuterike, të dhënave big data, internetit 3, dhe inteligjenca artificiale, ai nuk shqipëroi një fjalë për Shqipërinë e nesërme, por u mor fund e krye me opozitën që e ka damkosur dhe e ka zhveshur atë, i ka faktuar shqiptarëve se Edi Rama ka hyrë në histori si kryehajduti i kombit.
Gjeti kohë të merrej edhe me kundërshtarët e tij brenda partisë, të cilët kanë dhënë dhe japin një kontribut të veçantë për çdo shqiptar për të kuptuar, për të demaskuar aktivitetin e tij si kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit.
Të dashur miq, me këtë fjalë Edi Rama i faktoi dhe të riut më të fundit në këtë vend se ai, përveç sharjeve, përveç fjalorit ordiner, përveç mbrojtjeve të krimeve të tij, të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë nuk iu ofron asgjë tjetër, pos largimit të tyre nga Shqipëria”, u shpreh Berisha.