Analisti Besnik Mustafaj ka komentuar në studion e News24 në rubrikën “Opinion” vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për t’i ndaluar hyrjen në SHBA kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako dhe familjes së tij.
Mustafaj e shikon këtë jo si surprizë sa i përket dyshimeve të ngritura nga sekretari i shtetit por një lloj surprize për rrethanat. Ai thotë se ky është një moment që prokuroria të tregojë se sa e pavarur është për të kuptuar nxitjen e DASH.
“Zakonisht në praktikën e vetë DASH do të thotë sektori konsullor deklaron refuzim vizash kur kërkohet një vizë. Në këtë rast nuk kemi një praktikë të zakonshme që Dako të ketë kërkuar vizë. Në këtë kuptim gjesti është i pazakontë. Në argumentin që jep DASH, dyshimet që shpreh nuk janë surprizë as për mua e as për opinionin publik shqiptar. Ka disa vjet që përmendet për korrupsion në përmasa shumë të mëdha. Në këtë kuptim nuk ka surprizë për dyshimet që artikulohen por një farë surprizë për rrethanat që u bë ky lajm.
Dako është person non grata në SHBA. Nga ana diplomatike është një mesazh që i dërgohet prokurorisë. Në mënyrë publike mban një qëndrim ndaj një njeriu dhe familjes së tij. Penalizimi i familjes së tij është më kuptim sepse do të thotë që familja ka qenë përfituese. Në vlerësimet që ka ambasada amerikane këtu, DASH atje, familja ka qenë përfituese.
Pas vepron drejtësia, një drejtësi e pavarur, profesionale dhe e drejtë atëherë DASH merr vendimet e veta por përgjithësisht është një periudhë që zgjat shumë. Ne kemi një precedent që është precedenti me Adriatik Llallën. Ne do të shohim se sa do të jetë këmbëngulëse mbrojtja dhe sa do të jetë e pavarur prokuroria për të kuptuar nxitjen që i bën DASH”, deklaroi Mustafaj.
Sa i përket qëndrimit të kryeministrit Edi Rama sot, Mustafaj tha se nuk kishte asgjë të re duke kritikuar deklaratat e tij për Presidentin.
“Mu duk një Edi Ramë në vazhdimësi, brenda identitetit të tij politik, brenda sjelljes së tij publike. S’pati asgjë të re, i kënaqur me veten, me bilancet, euforik me të ardhmen dhe Rama një provokator dhe polemist i nivelit të ulët me presidentin e Republikës. Fjalori i tij për presidentin nuk përfshihet në gjuhën e shkencave politike por është një gjuhë parapolitike”, tha Mustafaj.