Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj është bërë pjesë e debatit, ku i përfshirë është ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt, pas parullës ‘Turp të të vijë’. Fillimisht, Mustafaj tregon se ka miqësi të hershme me zyrtarin gjerman, që në vitet 2000 kur ai erdhi si ambasador në vendin tonë ndërsa shpreh vlerësimet për të si diplomat. Megjithatë, ai mendon se në rastin konkret, Borchardt është përdorur nga kryeministri Edi Rama dhe se ka pranuar të bëhët viktime pa qenë i tillë. Në një analize për gazetën Panorama, Mustafaj nënvizon se bashkohet me indinjatën e ambasadorit, por sugjeron se ai duhet t’ia kishte hequr mundësinë Ramës për të bërë manipulimin e radhës.
“Ma merr mendja se ambasadori Borchardt do të dilte shumë më i larë nëse këtë ngjarje të vogël, do ta trajtonte natyrshëm si një fyerje personale, morale, siç edhe është në të vërtetë. Konventat ndërkombëtare, në të cilat aderon edhe Republika e Shqipërisë, nuk i marrin në mbrojtje diplomatët kundrejt vlerësimeve morale, qofshin ato edhe padrejtësisht degraduese. Nga ana tjetër, duke e mbajtur incidentin brenda caqeve banale të përmbajtjes së tij, ambasadori Borchardt do t’i kishte hequr Kryeministrit Rama mundësinë për ta bërë manipulimin e tij të radhës me faktet, siç e bëri, duke dërguar skuadrën me roja. Në fjalë të fundit, me dëshirën apo pa dëshirën e tij, ambasadori i OSBE-së u përdor në këtë rast nga Kryeministri i Shqipërisë”, analizon Mustafaj.