Boboshtica është një destinacion i rëndësishëm turistik, me natyrë të mrekullueshme, ajër dhe ujëra të pastra dhe me një terren të pasur që të jep mundësinë e një sërë aktivitetesh rekreative.
Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro thotë se Boboshtica është një perlë e trashëgimisë kulturore, kulinare dhe vlerave unike lokale në zemër të Korçës që zbulon thesaret e saj para gjithë botës.
Sipas Kumbaros, Boboshtica është një nga 6 fshatrat shqiptarë që aplikojnë në nismën “Fshatrat më të mirë turistikë” nga Organizata Botërore e Turizmit”.
Ky program organizohet nga Organizata Botërore e Turizmit dhe nga Shqipëria do të aplikojnë 6 fshatra.
Fshati krenohet me traditën e tij arsimdashëse. Pikërisht në Boboshticë në janarin e vitit 1889, lindi shkrimtari dhe dramaturgu i famshëm Viktor Eftimiu, babai i të cilit ishte me origjinë arumune.
Kishat e Boboshticës janë një trashëgimi më vete, që tërheqin qytetarët korçarë por tashmë edhe një numër të madh turistësh.
Banorët kanë investuar edhe në hoteleri në këtë fshat të Korçës, ndërsa kuzhina tradicionale me produkte tradicionale është ajo që turistët vlerësojnë në Boboshticë. Shqipëria konkurron mes 65 shteteve, me plot 270 fshatra që garojnë për titullin Best Tourism Village.
