Një dobësi e re në sistemin operativ iOS të Apple prek me qindra milionë iPhone, iPads dhe iPod, thotë Forbes duke cituar studiuesin që e zbuloi. Për rrjedhojë, hakerat, sipas revistës prestigjioze, po fërkojnë duart nga perspektiva e mundësisë që t’i heqin Applit kontrollin mbi pajisjet e veta dhe të ngarkojnë çfarëdolloj soft-ueri që t’i pëlqejnë.
Ky lloj hakerimi, i mbiquajtur checkm8 nga një studiues që ka preferuar të mos identifikohet me emrin e vërtetë, por vetëm si axi0mX, përbën “ një mundësi shfrytëzimi të përhershëm e të padiktueshëm për qindra miliona pajisje iOS”. Kjo do të thotë se hakerat mund të marrin kodin e lëshuar nga axi0mX në Github dhe potencialisht të shkarkojnë firmware-in (bërthamën e sistemit operativ) në një iPhone.
Kjo nënkupton se do t`I hiqnin Apple-it kontrollin nga pajisja dhe mund të bënin çfarë të donin me të, ndonëse kjo do të kërkonte dhe disa veprime shtesë. “Shumica e gjeneratave të iPhone dhe iPad janë të prekshëm: nga iPhone 4S (chip A5) tek iPhone 8 dhe iPhone X (chip A11)”, ka shkruar axi0mX në Twitter.
Por rreziku për përdoruesit është i kufizuar: studiuesi shtoi se cenueshmëria mund të “shkaktohet vetëm me USB”, dhe kërkon qasje fizike pasi nuk mund të kryhet në distancë./Gazeta shqip/