Nga Hasan Pasha
Nuk kishte ndodhur në 100 vite që Mati të kthehej në kantier ndërtimi. Nga Ulza në Macukull dhe nga Rukaj në Komsi kudo dallohet dora e Bashkisë Mat dhe e Qeverisë. Qyteti i Burrelit, aty ku aktualisht jetojnë e punojnë një pjesë e mirë e matjanëve po punohet në disa drejtime për përmirësimin e kushteve të banimit dhe jetesës.
Vepra të rëndësishme që as ishin imagjinuar janë drejt përfundimit. Për sigurimin e ujit të pijshëm, cilësor dhe pa orar, janë kryer dy investime të mëdha, projekti i ujësjellësit Zallë-Gjoçaj dhe rehabilitimi i rrjetit të brendshëm në qytet. Veç tubacioneve Zallë-Gjoçaj-Lis, në periferi të qytetit ka përfunduar depo kryesore që do të furnizojë qytetin e Burrelit me 24 orë ujë. Një investim i tillë do të mundësojë largimin e çisternave mbi taracat e pallateve, të cilat prej dekadash kanë qenë shqetësim për qytetarët. Investimi për ujin e pijshëm vijon edhe për banorët e njësive administrative Macukull, Derjan e Rukaj, një ëndërr e kahershme e tyre.

Ka përfunduar shtrirja e rrjetit, ndërtimi i depove për 17 fshatra dhe vijon puna për përfundimin e projektit të nisur. Edhe në zonat e tjera të Matit është treguar vëmendje për sigurimin e ujit të pijshëm. Sakaq bashkia Mat, me fondet e saj ka mundësuar ndërtimin e disa çezmave në fshatra. Fala bujarisë së Katarit janë ndërtuar më shumë se 40 puse uji pranë institucioneve të arsimit, shëndetësisë, etj. Shkollat e qytetit të Burrelit nuk kanë tashmë ndonjë diferencim të madh me shkollat e Tiranës apo qyteteve të tjera të vendit.

Shkolla e mesme “28 Nëntori” dhe ajo 9 vjeçare “Mustafa Gjestila” janë rehabilituar duke krijuar kushte mjaft komode për nxënësit dhe mësuesit. Në shkollën e mesme “Pjetër Budi” ka nisur rikonstruksioni dhe pritet që ajo të ketë parametra bashkëkohorë. Në fshatin Frankth po ndërtohet një shkollë e re. Kryebashkiaku Agron Malaj ka faktuar se është këmbëngulës që kushtet në kopshtet e çerdhet në territorin e Bashkisë Mat të kenë kushte normale. Investime janë kryer edhe në konviktin e shkollës së mesme. Sheshe, trotuare, pemë dekorative, lulishte, stola janë vendosur në çdo cep të qytetit me fondet e bashkisë.

Tenderat janë lënë në arkivin e harresës dhe bashkia pasi siguron bazën e nevojshme materiale punimet i kryen me specialistët e Ndërmarrjes së Shërbimeve Bashkiake. Ndryshimi është mjaft i madh. Ndoshta do të duhen pak muaj që infrastruktura e qytetit të përfundojë e jetesa në qytetin verilindor për përmirësohet ndjeshëm. Rrugët periferike të qytetit janë asfaltuar për herë të parë. Lagja e Re dhe minilagjet e tjera nuk kanë dashmë rrugë me baltë, me gropa, me dhera, gati të pakalueshme.

Eshtë investuar edhe në rrugët e disa fshatrave dhe objektivi i kryetarit të bashkisë është të asfaltohen të paktën 70 kilometra brenda këtij mandati. Për të mbajtur gjallë jetën sportive janë lëvruar fonde për ekipin e futbollit dhe moshat. Aneksi i stadiumit “Liri Ballabani” është bashkëkohor. Fëmijët që luajnë futboll nuk paguajnë si më parë trajnerët. Janë ndërtuar në disa shkolla kalçeto dhe të tjera janë të proçes. Synohet që në çdo qendër administrative të ndërtohen terrene sportive. Në Ulëz, Komsi, Lis është investuar për qendrat administrative. Lulishtet, ndriçimi, stolat, sheshet në këto qendra kanë krijuar një mjedis joshës dhe mjaft qytetar për banorët e zonave rurale. Ndoshta brenda vitit 2024 do të investohet edhe në qendrat e tjera, Macukull, Derjan, Rukaj e Baz. Për tregjet është shtuar vëmendja. Pas tregut të fruta-perimeve vazhdojnë punimet për tregun frigoriferik.

Fermerët e blektorët e Matit do të kenë mundësi më të mëdha tregëtimi të produkteve të tyre. Edhe në Tregun Industrial janë krijuar kushte më të mira, falë investimit të kryer këtu. Bashkia Mat ka investuar për sinjalistikën rrugore, horizontale dhe vertikale si dhe vendosjen e kamerave të sigurisë në pika kyçe të qytetit. Bashkëpunimi me Policinë është rritur për sigurinë në institucionet arsimore. Duhen përmendur gjithashtu investimet për qendrën e kolaudimit të makinave, rehabilitimi i plotë i varrezave të dëshmorëve, veshja me sistemit kapot të pallateve, rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës dhe Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Imer Neli” Burrel, etj.


