Nga Etilda Gjonaj
Shpreh keqardhjen e thellē për ngjarjet makabre të ditës së sotme në Tiranë ku tre gra humbën jetën tragjikisht dhe tre të tjera mbeten të plagosura. Bilanci i sotshëm është një bilanc i frikshëm dhe një kujtesë brutale e mënyrave sesi jetët e grave merren nga dora e dhunës, nga dora e krimit!
Pavarësisht se dënimet për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave janë ashpërsuar, vazhdojmë të tronditemi ende nga ngjarje të tilla pasi sot kërkohet që institucionet e drejtësisë të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme për hetimin, kualifikimin, gjykimin dhe dënimin pa asnjë tolerim sipas parashikimeve të Kodit penal.
Reforma në drejtësi dhe ndryshimet përkatëse ligjore promovuan një qasje të specializuar dhe të koordinuar për të gjithë zinxhirin e institucioneve të drejtësisë penale në luftën kundër dhunës ndaj grave, por vijon të mbetet ende një problem zbatimi i drejtë i tyre.
Lufta ndaj pandëshkueshmërisë sic duhet të autorëve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve të drejtësisë, duke siguruar llogaridhënie dhe duke i dërguar një mesazh shoqërisë se një dhunë e tillë nuk do të tolerohet as sot edhe as nesër.
Organet e drejtësisë duhet të bëjnë zbardhjen sa më parë të ngjarjeve të ndodhura sot dhe të nxjerrin përgjegjësitë institucionale për lirimin e shpejtë të një personi me precedent penal që mori jetët e tre grave të pafajshme!
Ngushëllimet e sinqerta familjarëve për humbjet e njerëzve të dashur të tyre dhe shërim sa më i shpejtë i të plagosurave!