Biologu Ethem Ruka, ish ministër i Arsimit, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shprehet se po punohet me shpejtësi për prodhimin e vaksinës anticovid. Sipas tij deri para dy ditësh janë deklaruar 25 kandidat vaksina. Sakaq Ruka thotë se në SHBA ka nisur faza e tretë me 30 mijë persona që u injejtohet vaksina.
Postimi i plotë i Rukës:
Shpejtësia me të cilën po punohet për prodhimin e vaksinës anticovid është e pa parë më parë. Me 25 korrik OBSH deklaroi se janë 25 kanditat vaksina në proçesin e provave klinike te njeriu. Vetëm katër prej tyre janë në një fazë më të avancuar ose siç quhet faza 3, ndërsa kandidat vaksinat e tjera janë në fazën 1 ose 2.
Kompania amerikane Moderna filloi provat e fazës së tretë të 30 000 vullnetare këtë të hënë.
Po ashtu dy kandidat vaksina kineze kanë filluar me fazën e tretë qysh me15 korrik.
Projekti i katërt është ai i kandidat vaksinës europiane. Ky projekt është vënë në lëvizje nga Universiteti i Oksfordit në bashkëpunim me kompaninë farmaceutike AstraZeneka dhe po provohet në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil dhe Afrikën e Jugut.
139 projekte të tjera janë në proçes, por për momentin janë më me vonesë.
Teknologjitë e përdorura janë të ndryshme. Disa përdorin virusin e “vrarë” ose të caktivizuar. Kjo teknologji është përdorur nga dy kompani kineze. Një teknologji tjetër përdor proteinën e virusit që provokon sistemin imunitar për prodhimin e antitrupave. Kompania amerikane Moderna po përdor teknologjinë më inivative, të pa provuar ndonjëherë deri me sot. Ajo shfrytëzon ARN që mbart informacionin për proteinën e coronavirusit. Kjo ARN do të dëshifrohej në qelizat humane, të cilt do të prodhonin proteinën e coronavirusit që provokon sistemin imunitar për prodhimin e antitrupave anticovid.
Rezultatet e deritanishme duken inkurajuese. Kandidat vaksinat nxitin prodhimin e antitrupave dhe limfociteve T.
Këto prova kanë treguar se nuk ka efekte anësore. Megjithatë në raste të vecanta janë vënë re disa efekte si dhimbje koke, lodhje etj, por që nuk konsidetohen të rrezikshme. Megjithatë është ende herët për të arritur në përfundime të sakta.