Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të nisë një tur 6 ditor në Europë, si një shenjë mbështetje ndaj Ukrainës, në luftën që po zhvillohet atje.
Mediat e huaja shkruajnë se Blinken do të shkojë në Poloni, Moldavi dhe Baltik, shumë pranë kufirit me Rusinë. Vlen të përmendet, se SHBA është pozicionuar krah Ukrainës në këtë betejë. Ata nuk kanë zgjedhur të angazhohen ushtarakisht, por nëpërmjet sanksioneve, kryesisht të natyrës ekonomike.
Ata kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë, Presidentit të saj Vladimir Putin dhe dhjetërave zyrtarëve të lartë atje. Qëllimi sipas Presidentit Joe Biden, është që në këtë formë, t’i jepet fund planit të Putinit për avancimin më tej drejt Ukrainës.
SHBA gjithashtu, ka dërguar në formën e ndihmave miliona dollarë dhe armatime në Ukrainë. Si një vend anëtar në NATO ka dërguar në shtetet aleate mijëra trupa. Kjo masë sipas shefit të NATO-s Stoltenberg, por edhe Biden, bëhet që të ruhen sovraniteti dhe siguria e aleancës.