Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë së cilës theksoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE.
Blinken dhe Kurti kanë diskutuar për nevojën e “intensifikimit të procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në qendër të saj”.
Në një prononcim lidhur me bisedën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se Blinken kishte theksuar nevojën e “angazhimit të vazhdueshëm të të dyja vendeve për integrimet evropiane arritjen e paqes në rajon”.
Me presidentin Vuçiç është diskutuar për lidhjen e Serbisë me Federatën Ruse dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në këtë shtet. Serbia mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.