Nga sot qytetarët e Prishtinës nuk do të kenë transport publik.
Kjo ndalesë e “Trafikut Urban” vjen si pasojë e vështirëve financiare për shkak të bllokimit të buxhetit nga ana e komunës së Prishtinës.
Por, ndërprerjen e operimit për këtë shkak e kanë njoftuar edhe disa nga linjat private.
Lidhur me këtë dje, kryetari Përparim Rama, ka deklaruar se qytetarët po rrezikohen si asnjëherë më parë.
Numri një i kryeqytetit, bëri të ditur se situata ka arritur në pikën kritike, duke konfirmuar ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme.
“Sapo e përfundova takimin me ndërmarrjen e transportit publik dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për shkak të çështjeve të biznesit”, u shpreh kryetari i Prishtinës.
Situata e krijuar në kryeqytet ka ngjallur debat të madh në opinion mes liderit të LDK-së Lumir Abdixhiku, dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit.
Sipas Abdixhikut, partia në pushtet e mori mesazhin në zgjedhjet lokale për bllokadën e krijuar.
“Prishtinën e bllokuan. Dhe Prishtina foli e para, foli qartë. LDK-në e riktheu si parti të parë; bllokuesit i la larg”, tha ai.
Ndërkaq sipas Muratit, fajtore për mosvotimin e buxhetit mbetet ish-opozita.
“Por ju vendosët që betejën politike ta bëni në kurriz të qytetarëve duke mos e votuar buxhetin”, ka shkruar ai.
