Pika e kalimit kufitar në Kakavijë do të përballet me kufizime të forta gjatë dy ditëve të ardhshme për shkak të një proteste të fermerëve grekë. Policia Kufitare Shqiptare është njoftuar nga pala greke se aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të jetë i bllokuar në udhëkryqin e fshatit Kallpaq.
Bllokimi ka nisur sot në orën 12:00 (me orën greke) dhe pritet të zgjasë për plot 48 orë. Gjatë kësaj periudhe, qarkullimi i automjeteve do të jetë i pamundur, duke paralizuar lëvizjen drejt brendësisë së shtetit fqinj.
Të vetmet mjete që do të lejohen të kalojnë në këtë aks janë ato që transportojnë raste emergjente shëndetësore. Fermerët protestues kanë bërë të qartë se nuk do të lejojnë kalimin e automjeteve të tjera deri në përfundim të afatit të njoftuar.
Policia Kufitare e Kakavijës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë planifikuar udhëtime drejt Greqisë që të marrin masa dhe të ndryshojnë planet e tyre. Sugjerohet që lëvizjet të bëhen në orare të tjera ose të shmangen gjatë këtyre dy ditëve për të shmangur radhët e gjata.
Autoritetet mbeten në kontakt të vazhdueshëm me palën greke për të informuar publikun në rast se do të ketë një zhbllokim më të hershëm të rrugës.
Kjo është protesta e disatë që fermerët grekë bëjnë.
