Disa ditë më parë kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson rezultoi i prekur nga koronavirusi, ndërsa ditën e diel ai u shtrua në spital dhe një ditë më pas përfundoi në repartin e terapisë intensive, duke qenë se kishte pasur probleme me temperaturën e lartë dhe kollën.
Në historinë e krerëve të qeverisë angleze ndër vite duhet thënë se Johnson nuk është i vetmi që sëmuret gjatë ushtrimit të detyrës.
Vite përpara në pikun e Luftës së Dytë Botërore, gjatë vitit 1943, kryeministri i asaj kohe, Ëinston Churchill, u infektua me pneumoni, pas një vizite tek trupat ushtarake në Afrikë. Në dukje i pathyeshëm, Churchill, si duhanpirës i regjur nuk ishte imun ndaj sëmundjes, e cila e ndoqi nga pas edhe në vitin pasardhës.
Në shtator të vitit 1918, kryeministri i asaj kohe, David Lloyd George udhëtoi drejt vendlindjes për të mbajtur një fjalim. Siç mund ta keni lexuar viti 1918, veç fundit të Luftës së Parë Botërore shënon edhe shpërthimin e pandemisë së Gripit Spanjoll. Kështu teksa udhëtoi në vendin e lindjes, David Lloyd George nuk mundi t’i shpëtonte pandemisë dhe u infektua. U deshën plot dy javë izolim e kujdes intensive që ai të merrte veten dhe të linte spitalin për t’u vendosur në një dhomë të improvizuar nga ku do të mund të vazhdonte punën e tij si lider në luftë.