Perëndimi beson se Yevgeny Prigozhin është vrarë me urdhër të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Analistët theksojnë se asgjë nuk ndodh në Rusi pa marrë miratimin e Putinit dhe se ministri i mbrojtjes, Sergei Shoigu, apo shefi i ushtrisë, Valeri Gerasimov, nuk mund të merrnin hak ndaj Wagnerit pa një urdhër nga presidenti rus.
Të njëjtën gjë e beson edhe presidenti amerikan, Joe Biden. “Nuk e di çfarë ka ndodhur, por nuk jam i surprizuar. Nuk ndodh asgjë në Rusi ku Putini nuk qëndron pas”, ishte komenti i shkurtër i Biden. Franca ka dyshime lidhur me atë çfarë ka ndodhur realisht me avionin e rrëzuar të shefit të Wagnerit.
“Vdekja e Prigozhin lë pas një kaos të tmerrshëm në pjesën më të madhe të botës për shkak të politikave që ka zhvilluar bashkë me Putinin”, theksoi zëdhënësi i qeverisë franceze, Olivier Veran. Zyrtarët në Ukrainë reaguan duke e konsideruar vrasjen e Prigozhin, një sinjal nga Putini për politikën në Rusi përpara zgjedhjeve të 2024-ës.