Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu ka theksuar se që me 1 tetor nis ulja e çmimeve të roaming me Europën, ky tashmë është fakt i njohur botërisht. Në një intervistë për “Zërin” e Kosovës, Bregu ka dhënë detaje e njërës prej arritjeve konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. “Siç thoshte Schuman, një nga baballarët e BE-së: “Europa nuk do të bëhet menjëherë, apo sipas një plani të vetëm, do të ndërtohet me arritje konkrete”. Që ky është vetëm fillimi dhe si do të vijojë më pas, deri sa të mbërrijmë në tarifat “fol si n’shpi” mes Ballkanit dhe Europës”, deklaron Bregu.
E pyetur se sa do të ulen saktësisht këto çmime, Bregu shprehet se “ne kemi kohë që po e komunikojmë lajmin se nga 1 tetori i këtij viti presim që qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian (BE), ku përfshihen edhe miliona qytetarë të diasporës, të përfitojnë uljen e tarifave roaming mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor (BP)”.
Sipas saj, ky ka qenë një proces i ndërlikuar negociatash, që është ende në proces. Ajo thotë edhe se ka një larmishmëri paketash të çmimeve të roaming, disa më të ulëta, të tjera më të larta. Kemi raste në BE, ku kostoja për përdorimin e internetit në roaming shkon edhe në 500 euro për GB, ndërsa çmimet standarde shkojnë edhe më lart, deri në 21.000 euro për GB. Sigurisht, disa operatorë do të duhet të reduktojnë çmimet më shumë se të tjerët, pasi paketat e çmimeve nga njëri operator tek tjetri, ndryshojnë.
“Për të dhënë një shembull më konkretë, në Kosovë çmimet e paketave për përdorimin e internetit variojnë ndërmjet 13 dhe 30 euro për GB në paketat që ata ofrojnë. Por ajo çfarë është e rëndësishme për ne sot është fakti se me kufirin maksimal që operatorët kanë dakordësuar, qytetarët e Ballkanit Perëndimor, do të paguajnë mesatarisht një të tretën më pak të çmimit që paguajnë sot, përmes paketave të ndryshme, shtesave (add-ons) etj, ndërsa do të përdorin internetin celular kur janë në roaming në vendet e BE-së”, nënvizo Bregu..
Sipas saj, çmimi maksimal për një GB në ofertat e operatorëve, nuk do të jetë më shumë se 18 euro duke filluar që nga ky tetor duke shtuar se më pas, në vitin 2026, kufiri i çmimit do të ulet sërish deri në 14 euro, ndërsa në 2028-ën deri në 9 euro.