Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kritikon Bashkimi Evropian, pasi për të po toleron veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe nuk e detyron atë që të zbatojë marrëveshjet e arritura më parë në Bruksel.
Pas samitit të Procesit të Berlinit, Brnabiç u tha gazetarëve se ka biseduar me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, lidhur me çështjen e riregjistrimit të makinave në Kosovë që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
“Kurti ka shkelur të gjitha marrëveshjet e arritura sa i përket targave, ato të vitit 2011 dhe 2016, por edhe atë të shtatorit të vitit 2021, dhe njëanshëm ka hequr nga përdorimi targat me status neutral [KS]. Ata thonë se pajtohen që targat KS duhet të ekzistojnë, por shtojnë se nuk mund të bëjnë asgjë për këtë temë, dhe kjo për mua është shkatërruese”, tha Brnabiç.