21-vjeçari Armando Broja pësoi një dëmtim në gju gjatë miqësores së djeshme të Chelsea ndaj Aston Villa. Dëmtimi duket i rëndë dhe klubi londinez ka vendosur që të marrë menjëherë masa për zëvendësimin e sulmuesit shqiptar.
Referuar mediave angleze, stafi i “Bluve” ka frikë se Broja ka dëmtuar ligamentin e kryqëzuar të gjurit dhe mund të ketë mbyllur sezonin.
Tani Chelsea ka kthyer sytë nga talenti i Borussia Dortmund, adoleshenti Youssoufa Moukoko, të cilin po kërkon ta sjellë në Londër që në janar. 18-vjeçari ka shkëlqyer këtë sezon në Bundesligë, duke shënuar 6 gola në 14 ndeshje, dhe u bë gjithashtu lojtari më i ri që luan për Gjermaninë në një Botëror.