20 të burgosur kanë refuzuar ushqimin në burgun e sigurisë së lartë Burrel. Sot është dita e pestë që të burgosurit e dënuar me burgim të përjetshëm nuk ushqehen nga kuzhina e burgut.
Një zyrtar i rëndësishëm i këtij burgu tha se janë kontaktuar të dënuarit dhe u është kërkuar shkaku i këtij vendimi.
Sipas tij të burgosurit deri tani kanë paraqitur dy kërkesa kryesore.
“Ata kërkojnë të zgjerohet rrethi i personave që kanë të drejtë t’i takojnë apo t’u dërgojnë ushqime, veshmbathje dhe sende të tjera të lejuara, pasi ndryshimet e fundit ligjore e kanë ngushtuar numrin e personave që kanë të drejtë t’u jenë pranë atyre”, saktësoi zyrtari i burgut.
Kërkesa e dytë lidhet me lejimin e tyre të flasin me një numër më të madh personash, pasi në ligjin aktual të dënuarit kanë të drejtë të përzgjedhin vetëm 10 numra telefoni, kryesisht familjarët e tyre.
Vendimi i të dënuarve është verbal dhe nuk është adresuar me shkrim pranë autoriteteve të burgut apo institucioneve të larta.