Dy javë më parë 22 të dënuar të Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel kanë lënë qelitë dhe janë strehuar pranë familjeve të tyre. Liria 3 mujor erdhi për shkak të pandemisë globale.
Ndërkohë njëri prej të dënuarve, Edmond Demiri, ka mbetur ende në qeli. Familja e tij, me origjinë nga Karica e Matit, 15 vjet më parë është vendosur në qytetin e Vlorës.
Babai i të dënuarit, Kujtim Demiri është përpjekur të sigurojë dokumentacionin e kërkuar nga autoritetet e burgjeve, për të marrë djalin pranë familjes, pra në Vlorë. Mirëpo kryefamiljari nuk ka pasaportizimin në qytetin bregdetar dhe Policia e Vlorës nuk jep siguri që i dënuari të qëndrojë në shtëpi, pra të mos largohet.
Në këto rrethana është xhaxhai i Demirit që u ka kërkuar ta marrë ai nipin në banesën e tij, në Karicë. Kërkesa nuk është plotësuar ende.
Zyrtarë të Burgut Burrel sqaruan se kërkesa e Edmond Demirit për të qëndruar në shtëpinë e xhaxhait i është dërguar për shqyrtim Komisionit të Posaçëm të Shqyrtimit të Ankesave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Pastaj do mësohet fati i dënuarit Demiri.
34 vjeçari është dënuar 3 vjet më parë, bashkë me tre persona të tjerë për transport të lëndëve plasëse. Dy prej 4 të dënuarve janë liriuar, i treti është me leje 3 mujore, ndërsa Edmond Demiri ndodhet ende në burg. /tirananews.al/
