Nga: Martin DEDAJ*
Skuadra e futbollit Burreli, sivjet pritet të jetë ndryshe nga sezonet e tjera, për vetë faktin e seriozitetetit, që drejtuesit e saj kanë treguar dhe po tregojnë, në krijimin e kushteve sa më optimale për stafin dhe lojtarët në të gjitha drejtimet.
Fillimisht u caktua trajneri Ditmar Bicaj e më pas stafi teknik i skudrës, për të vijuar menjëherë nga puna e cila është e fokusuar në tre drejtime: Testimin e lojtarëve dhe zhvillimin e një merkatoje të sukseshme; Stërvitje intensive në grup dhe individuale të lojtarëve; Dhe zhvillimin e ndeshjeve miqësore për të parë gjendjen e lojtarëve dhe harmonizimin e vlerave individuale të gjithësecilit prej tyre me vlerat kolektive të skuadrës.
Deri tani, Burreli ka zhvilluar katër ndeshje miqësore, tri prej të cilave me ekipet e superiores dhe një me të kategorisë së parë dhe konkretisht; në Shkodër me Vllazninë (1-0), në Pukë me Teutën (2-2), në Peshkopi me Korabin (1-0) dhe në Burrel me Tiranën (1-2), ku pavarësisht rezultateve të arritura, duhet thënë se skudra ka bërë një paraqitje të mirë, duke luajtur në fushë me një disiplinë tekniko-taktike, dhe krijuar volum të madh loje, madje hera-herës edhe epërsi ndaj kundërshtarëve, por duke vuajtur pse jo në finalizimin e aksioneve, çka e dëshmon edhe numri i pakët i golave. Themi kështu pasi skuadra luan me siguri në fushë, organizohet mirë në mbrojtje në mbulimin dhe neutralizimin e veprimeve sulmuese të kundërshtarit, del shpejt në kundërsulm nga thellësia e mbrojtjes në të dy krahët e saj. Me një mesfushë dyluftuese dhe agresive, ndërtuese të aksioneve të njëpasnjëshme dhe përcjellje të suksesshme të tranzicionit të skuadrës nga mbrojtja në sulm dhe anasjelltas. Dhe një sulm që krijon shumë raste, por që dhe shpërdoron shumë, duke mos qenë kështu në pritshmëritë e kërkuara.
Teksa kanë mbetur edhe dy javë, nga fillimi i kampionatit, në këndvështrimin tim modest, mendoj që skuadra matjane e drejtuar nga Ditmar Bicaj, deri tani është në udhë të mbarë, në ecurinë e saj përgatitore për kampionatin e kategorisë së parë. Skuadra pothuajse është formatuar në të gjithë repartet e saj, por prap se prap deomos, që do ti duhet edhe 3-4 përforcime të tjera, prej të cilave domosdoshmërisht një lojtar sulmues, thënë ndryshe një lojtar tipik “gjahtar goli”. Ndërsa në repartet e tjera, përforcimet duhen për të shtuar alternativat dhe rritur konkurencën, pasi siç pritet kampionati i kategorisë së parë, sivjet do të jetë më i fortë se i vitit të kaluar.
Pavarësisht kësaj, nisur nga puna e deritanishme e stafit matjan me në krye trajnerin Bicaj, merkatoja e kryer dhe ajo që pritet të kryhet, intensiteti dhe fleksibiliteti i stërvitjeve, testet e kryera dhe paraqitja e ekipit në ndeshjet miqësore të zhvilluara, formatimi i një skuadre agresive dhe potente në lojë, mbështetja e pa kursyer e skuadrës nga presidenca me në krye, kryetarin e bashkisë Mat, z. Agron Malaj, të bëjnë të besosh se sivjet do të kemi një përfaqësim dinjitoz të skuadrës së Burrelit, në këtë kampionat, në përmbushje të objektivave që ka, për të qenë në grupin e gjashtë skuadrave më të mira të kampionatit.
* Gazetar dhe komentator sportiv