Kryeministri Edi Rama në takim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit për Buxhetin 2026, në Pallatin e Sportit në Elbasan.
16.3 miliardë lekë është mbështetja e shtuar për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, agro-përpunimin dhe agroturizmin, për pensionin rural dhe për trajnimin e fermerëve në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mbajti fjalën hapëse, duke theksuar se “mbështetja për këtë sektor do të rritet në mënyrë të vazhdueshme”.
“Sot dua të them qartë se dua që ne të rishikojmë skemën kombëtare të mbështetjes dhe të ndërtojmë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes qeverisë dhe gjithësecilit prej jush. Do të jemi në 12 qarqet e vendit për të diskutuar për nevojat, ndryshimet dhe për ta përshtatur me situatën në terren”, iu drejtua ai fermerëve.
Sipas tij, vetëm në vitin e fundit ka pasur 800 aplikime për skemën e mbështetjes dhe grantet.
“300 prej jush kanë nisur procesin e aplikimit në banka dhe një pjesë e mirë kanë përfituar kredi”, theksoi Salla, duke shtuar se fermerët që shesin prodhimet e tyre bujqësore do të kompensohen në masën 10% të faturës, e cila duhet të dorëzohet çdo muaj te Tatimet.
Më tej u ndal te pensionet rurale, që do shkojnë në më shumë se 18 mijë lekë deri në vitin 2030.
