Deputetja demokrate Jorida Tabaku, thotë se buxheti dhe paketa fiskale që po diskutohen në Kuvendin e Shqipërisë, merr 130 mln euro taksa shtesë nga qytetarët shqiptarë për të paguar 120 mln euro koncesione/PPP. Përmes një video-je me të cilën iu drejtohet qytetarëve, Tabaku thekson se buxheti nuk i jep përgjigje nevojave që kanë shqiptarët, por përkundrazi shton me 17 mln euro kosto për profesionistët e lirë!
Mesazhi i plotë
Buxheti dhe Paketa Fiskale që po diskutohet sot në kuvend ju merr para nga xhepi juaj për t’ia dhënë koncesioneve. Ky është buxheti që po diskutohet tani në parlament. A i jep buxheti përgjigje nevojave që kanë shqiptarët? A merret buxheti me inflacionin e rritur që ka shkuar në 30% e që po varfëron çdo shqiptar?
A jep përgjigje rritjes së kësteve të kredisë? Që sot po ulin konsumin dhe po varfërojnë familjet? A i jep përgjigje sot faturave të rritura të arsimit? Energjisë? Në mënyrë absolute jo!
Nuk merret me asnjë nga këto shqetësime. Përkundrazi, shton me 17 mln euro kosto për profesionistët e lirë! Taksa të rritura! Merr 130 mln euro taksa shtesë nga qytetarët shqiptarë për të paguar 120 mln euro koncesione/PPP. Pastaj pyesim veten përse shqiptarët po largohen? Largohen pasi ndjehen të pasigurt!