Një fitore shumë e vuajtur ndaj Andorrës, e vendosur vetëm në minutën e fundit, por më pas një fitore bindëse 4-0 ndaj Moldavisë, ka kthyer optimizmin te Turqia që e sheh veten përsëri në kreun e grupit kualifikues në Europian përkrah Francës. Por ajo që lumturon më shumë turqit duket se është fitorja 4-2 e Shqipërisë ndaj Islandës, që i mundi në qershor dhe dukej si rivali i tyre kryesor për një nga dy vendet që çojnë në Euro 2020.
Hakan Çalhanoglu nuk fshihet teksa pranon se rezultati i Shqipërisë është ai që i jep një shtysë më shumë përfaqësueses turke pasi tani ka gjithçka në dorën e vet dhe mund të vendosë për të ardhmen e saj.
“Ishte e mirë për ne që Shqipëria fitoi. Tani avantazhi është në anën tonë. Pro ne duhet të përqendrohemi në ndeshjet që kemi ne. Duam që të kualifikohemi në fazën finale pa shumë vështirësi se zakonisht e lëmë gjithçka në minutën e fundit. Kjo duket sikur është bërë traditë. Por këtë radhë duam të mposhtim kundërshtarët dhe të sigurojmë sa më shpejt pjesëmarrjen në Europian. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta arritur këtë”, tha Çalhanoglu, autor i një prej golave në suksesin 2-0 të Turqisë në Shkodër ndaj kuqezinjve në fillimin e eliminatoreve.
Ndeshja e radhës do të jetë pikërisht e dyta mes Turqisë dhe Shqipërisë, rezultati i të cilës ndoshta nuk është vendimtar për ekipin turk, por mund të jetë për kombëtaren e drejtuar nga Reja, pasi çdo rezultat përveç fitores, e nxjerr përfundimisht nga lufta për kualifikimin e mëtejshëm në Europian.