Edhe 6 ditë na ndajnë nga 30 qershori, datë në të cilën parashikohen në mbahen zgjedhjet lokale. Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare kërkojnë që këto zgjedhje të mos bëhen, pasi sipas tyre nuk janë legjitime, ndërsa qeveria kërkon me ngulm që zgjedhjet do të mbahen dhe do të jenë model.
Nga ana tjetër dhe Presidenti i Republikës, ka kërkuar që 30 qershori të anulohet dhe qytetarët të shkojnë të votojnë në një datë më të vonë ku klima politike të jetë qetësuar. Në kulmun e këtyre përplasjeve me deklarata mes pozitës dhe opozitës, kanë ndodhur dhe përplasje në KZAZ-të e disa bashkive.
Për këtë gjë Policia duket se ka gati një plan të qartë masash për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve. Mësohet se në qendrat e votimit në 30 qershor do të ketë prezencë policie. Po ashtu të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me kamera, ku do të filmojnë çdo gjë.
Në zonat më të nxehta, ku Partia Demokratike është më e fortë, si Kukësi dhe Shkodra do të jenë prezente Forcat Speciale. Nëse do të ketë incidente mund të përdoret dhe gazi lotsjellës për të zbrapsur protestuesit. Po ashtu komandot do të jenë në mbrojtje të institucioneve qendrore.