Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias ka folur për marrëdhëniet me Shqipërinë, ku ka thënë se brenda vitit 2023 do ketë zhvillime për përcaktimin e zonave detare.
“Po, ka zhvillime. Pala shqiptare po përgatitet të nënshkruajë një dokument prokure, t’ia dorëzojë presidentit të vendit, me sa dimë, por kjo nuk është çështja jonë. Pas kësaj do i jepet mundësia grupit negociator ta diskutojë çështjen me ne. Nëse do të më duhej të specifikoja një kornizë kohore, po, do të thosha se brenda 2023 pres të kemi zhvillime”,-tha Dendias.
Në parlamentin grek, më 20 janar 2021 u miratua projektligji për zgjerimin e ujërave territorialë të vendit nga 6 në 12 milje në Detin Jon. Ky vendim u shoqërua me debate dhe reagime të shumta në Shqipëri për faktin se sa mund të ndikojë vendimi i Greqisë në zonën ekskluzive ekonomike dhe efekti i ishujve grekë në përcaktimin e zonave detare mes dy vendeve. Kjo çështje u vendos që të ndahej në Hagë.