Portieri i Lazios, Thomas Strakosha, pritet që të humbasë dy ndeshjet e Kombëtares shqiptare atë ndaj Isalandës dhe Moldavisë. Straksoha në fakt ka një problem në “tendinin e Akilit” dhe për këtë rast ka folur babai i tij Foto Strakosha.
“Panorama Sport” në mënyrë ekskluzive ka kontaktuar me babanë-menaxher të portierit, ish-legjendën e Kombëtares, Foto Strakosha, i cili ka bërë me dije edhe gjendjen e gardianit.
Fjalë pak dhe i rezervuar me mediat, teksa sa herë pyetet për Thomas Strakoshën, i le këtij të fundit vend për fjalë dhe preferon të heshtë. Mirëpo, kur bëhet fjalë për një lajm të tillë, Foto ka dhënë një përgjigje vetëm për gjendjen shëndetësore të të birit. “Ka bërë këtë javë një rezonancë dhe mjeku i ka dhënë ultimatum të mos stërvitet në fushë për 3 javë. Nuk di ç’të them, sepse edhe në finale luajti me vetëm një seancë stërvitore para saj. Ka nisur menjëherë terapi dy herë në ditë për rikuperimin, por s’di sa do t’ia dalë në kohë:, ka deklaruar Foto Strakosha.
MUNGESA Duke qenë se Kombëtarja do të grumbullohet javën e ardhshme, në këto kushte mungesa e portierit është thuajse faktike pas këtyre fjalëve të thëna edhe nga i ati. Megjithatë, te Lacio Thomas po pushon dhe duke njohur shpirtin e tij të sakrificës, mund të ketë rikuperim në kohë rekord për të qenë i gatshëm në grumbullimin në Gjermani nga 2 qershori. Doktori Stesina do të konfirmojë diagnozën e portierit për të konfirmuar në vijim nëse do të jetë apo jo i gatshëm.