Teksa maxhoranca vijon sot me seancën e radhës parlamentare, ku pritet të betohen edhe të tjerë deputetë, opozita do të vijojë me protestën e saj të shtatë.
Një ditë më parë Lulzim Basha mblodhi grupin parlamentar të PD-së dhe të gjithë strukturat e demokratëve janë mobilizuar për të sjellë sa më shumë protestues në shesh. Basha kërkoi angazhim maksimal nga drejtuesit politikë më të lartë në PD, duke e cilësuar si jo të mirë protestën e 21 shkurtit që opozita zhvilloi përpara Parlamentit.
Mësohet se deri në orët e vona të së mërkurës strukturat e PD-së në të gjithë vendin kanë zhvilluar takime me anëtarët e PD-së ku kanë bërë thirrje për të qenë prezent sot përpara Parlamentit.
Lexo edhe: Basha kritika ish-deputetëve: Nuk duhet të rrini në kafe me njëri-tjetrin, por në ballë të protestës
Kjo është protesta e 7-të që opozita zhvillon për largimin e Kryeministrit Edi Rama në harkun kohor të 40 ditëve. Mësohet se sot në protestë do të sillet në vëmendje fakti që edhe Presidenti serb, Vuçiç, ka vendosur ta çoj vendin drejt zgjedhjeve, shembull që do t’i sugjerohet edhe kreut të qeverisë shqiptare.