I ftuar në emisionin “Dritare”, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar vendimin e opozitës për djegien e mandateve, por nuk ka anashkaluar as protestën e së enjtes para Parlamentit.
Deputeti i Korçës deklaroi se, edhe protesta e pas dy ditëve do të jetë po aq masive sa edhe e 16 shkurtit.
“Në mënyrë unanime vendosëm djegien e mandateve të PD, si instrumenti i fundit që PD bën për kthimin e Shqipërisë në demokraci funksionale, që opozita dhe PD të shërbejnë si fasadë e një sistemi diktatorial. Nesër do të diskutojmë për organizimin e protestës. Të enjten ne jemi në protestë në orën 10:00 tek parlamenti. Protestën e thërrasim ne por populli është ai që vendos”, u shpreh Salianji.
Por në kundërpërgjigje, deputeti i PS-së Alket Hyseni tha se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur. Ai la të kuptohet se do jenë ndërkombëtarët ata që do “kapin prej veshi” opozitarët.
“Nuk e uroj as nuk e besoj që këta i dorëzojnë mandatet. Këta mendoj që duke dalë shoku Enver me filozofi piromane mendojnë se hiqet mandati. Mandati nuk hiqet në mënyrë kolektive e dinë shumë mirë. Këta e dinë që nuk i lënë, ka faktorë edhe më të rëndësishëm se sa PS. Këta e dinë që i kapin prej veshi dhe i çojnë të votojnë reformën. Kushtetuta nuk e lejon”- tha Hyseni.