Libohova ofron disa prej pikave më interesante për të gjithë ata që preferojnë turizmin historik.
Është tashmë e famshme Kisha e “Shën Mërisë” në fshatin Labovë që mendohet se është ndërtuar në vitin 551.
Në qendër të Libohovës janë sarajet e Myfit bej Libohovës, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Myfit bej Libovova më 1912 ishte përfaqësues i vendlindjes së vet në Kuvendin e Vlorës ku firmos Shpallja e Pavarësisë. Ai është ministri i parë i Punëve të Brendshme i shtetit të pavarur shqiptar. Gjithashtu, ka qenë edhe kryeministër i Shqipërisë gjatë një periudhe të shkurtër në viteve 1913 – 1914, kur Ismail Qemali përpiqej në udhëtime diplomatike të stabilizonte çështjet e shtetit të sapokrijuar.
Kryetari i bashkisë së Libohovës Leonard Hide tregon në emisionin “Vendi Im” se sarajet e Myfit bej Libohovës përbëjnë pikën më të rëndësishme të qytetit.
“Ky është kostumi i sheshit dhe i Libohovës dhe kushdo që vjen në momentin e parë me atë e identifikon,” shpjegon qytetari i parë i Libohovës.
Myfit bej Libohova konsiderohet edhe si “pagëzuesi” i lekut shqiptar, pasi propozoi emrin e valutës kur ushtronte detyrën e ministrit të Financave. Por pavarësisht gjurmëve që ka lënë Myfit bej Libohova në historinë e Shqipërisë, sarajet e tij kanë nevojë për investime që të bëhen të vizitueshme nga turistët.
“Dikur është bërë një rehabilitim i pjesshëm i godinave mbrapa. Jemi në kushtet që ka nevojë për ndërhyrje dhe bashkë me ministrinë e Kulturës, por edhe me nipërit që aktualisht nuk jetojnë këtu, po bëjmë një preventiv për çfarë është e nevojshme. Aktualisht duhet ndërhyrje në pjesën e çatisë që pothuajse është rrënuar,” tregon përpjekjet e bashkisë Leonard Hide.
Përveç sarajeve, në Libohovë është kulla e sahatit, e ndërtuar në fillim të shekullit XIX nga Ali Pashë Tepelena, dhe e vendosur në një pjesë shkëmbore mbi qytet.
Gjithashtu në Libohovë është edhe kalaja e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena për motrën e tij, Shanisha, e martuar në Libohovë.
Por të dy këto monumente kulture kanë nevojë për investime për të tërhequr sa më shumë turistë.
“Ka shumë nevojë për investime. Në radhë të parë duam të tregojmë historinë se çfarë kalaja përfaqëson. Shikojmë një fluks në rritjet të turistëve që janë kryesisht gjermanë dhe francezë. Në bashkëpunim me institutin dhe drejtorinë rajonale të monumenteve kemi një projekt për ofrimin e një ciceroni dixhital, jo vetëm në kala por edhe tek kulla e sahatit, tek sarajet e Myfit bej Libohovës,” thekson kryetari i bashkisë Leonard Hide.
Edhe pse bashki e vogël Libohova ia ka dalë të tërheqë turistët, duke shfrytëzuar edhe interesin e lartë që ngjall Gjirokastra.