Ministri i Diasporës Pandeli Majko dhe ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i kanë kërkuar kryeministrit Rama që kryesia të dalë me një qëndrim lidhur me moshapjen e negociatave.
Sipas burimeve nga selia rozë, Majko madje ka pasur dhe kritika ndaj ministrit në detyrë Gent Cakaj për deklaratën që bëri pas kthimit nga Brukseli. Bëhet fjalë për deklaratën e këtij të fundit në konferencë shtypi ku tha se ai dhe kryeministri Rama nuk kanë garantuar hapjen e negociatave.
Majko ka vijuar më tej duke thënë se shqiptarët prisnin vetëm hapjen e negociatave dhe asnjë përgjigje tjetër. “Prandaj unë them se ne si kryesi duhet të dalim me një qëndrim për këtë vendim të Këshillit Evropian dhe duhet të kemi një qëndrim në logjikën edhe të zhvillimeve në rajon”, mësohet të ketë thënë Majko.
Por Rama ka këmbëngulur se qeveria që ai drejton ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga Komisioni Europian, duke u fokusuar tek deklaratat e disa prej liderëve evropianë se ishte një gabim historik.