Luçiano Boçi, Nënkryetari i Partisë Demokratike, ka zbuluar gjatë një intervistë televizive, se çfarë ndryshimesh statutore priten në këtë parti duke filluar që nga mbledhja e paralajmëruar e Këshillit Kombëtar të PD-së si edhe çfarë rëndësie do të kenë ato.
“Para mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ka një mbledhje të Kryesisë, sepse Këshilli Kombëtar do të marrë në shqyrtim vendimet e Kryesisë që kanë të bëjnë me ndryshimet që i përkasin Statutit të PD-së dhe për shkak të së drejtës që ka Këshilli Kombëtar, e drejtë e sanksionuar në ndryshimet që u përcollën nëpërmjet Kuvendit Kombëtar të PD-së, ai vendos që këto ndryshime statusore të bëhen apo të mos bëhen”, sqaroi Boçi.
“Në momentin kur vendoset më pas për ndryshimet statutore, ato përcjellin efektet e tyre në riorganizimin e PD-së, ç’ka do të thotë se pjesa drejtuese pasurohet me pjesën e drejtimit të Grupit Parlamentar dhe të drejtimit të parlamentit në përgjithësi, sikurse Kryesia afektohet nga ndryshimet statutore për shkak se një pjesë e drejtuesve, ajo që është drejtuese e komisioneve parlamentare apo është nën drejtimin e komisioneve parlamentare, pra nën pozitën Kryetar dhe Nënkryetar i komisioneve përkatëse, bëhet në mënyrë automatike pjesë e Kryesisë së PD-së.
Kjo është pjesa sa i përket mbledhjes së Këshillit Kombëtar dhe mbledhjes së Kryesisë. Është ndryshimi statusor ai që jep edhe pasojën pozitive në mënyrën se si fuzionon edhe politikisht partia, që demonstron një fuzion bashkimi të mëtejshëm politik midis tendencave që u shfaqën përgjatë këtyre dy viteve dhe tashmë kanë marrë formë përfundimtare dhe unifikuese, në fillim brenda Grupit Parlamentar dhe pritet që ky bashkim të përcillet edhe në strukturat e PD-së”, shtoi ai.
Z. Boçi, mund të themi që do të ketë nënkryetarë të rinj? Janë ndarë pozicionet? A pritet të kemi shtim postesh në këtë pikë?
Boçi: Në qoftë se Kryesia vendos që këto ndryshime statusore do t’i përcillen Këshillit Kombëtar dhe Këshilli Kombëtar i miraton, shtohen dy nënkryetarë përkatës në bazë të pozicioneve që kanë në parlamentin Shqipërisë, sikurse shtohen edhe anëtarët e Kryesisë, në bazë të drejtimit të komisioneve parlamentare që ekzistojnë sot në parlament. Pra, është një koptim i vendeve në Kryesi sikurse shtohen edhe dy nënkryetarë për shkak të pozicioneve të tyre.
Ndërsa unë dhe z. Bylykbashi jemi të zgjedhur, të dy nënkryetarët e tjerë do të jenë në atë detyrë për shkak të funksioneve parlamentare të përfaqësimit politik që i bëjnë PD-së në nivelin parlamentar. Një metodë e tillë ka ekzistuar në traditën e PD-së; është një lloj rikthimi. Ka interpretime të ndryshme. Unë them që përtej interpretimeve, është një moment shumë i rëndësishëm që do t’i shërbejë bashkimit të PD-së.
Shpesh është ngritur kjo pikëpyetja, po, ekzistojmë dhe jemi të bashkuar brenda Grupit Parlamentar, po si do të fuzionohet në strukturën e PD-së? Dhe është vetë Statuti i partisë ai që lejon që ky fuzionim të jetë brenda kuadrit politik, të angazhimit të elitës politike të PD-së dhe të asaj çkanë kërkuar prej vitesh , anëtarët e PD-së që ky bashkim të mos jetë i kufizuar brenda Grupit Parlamentar, por të jetë i shtyrë më tej në strukturën drejtuese të PD-së. Dihet që deputetët kanë një rol specifik brenda strukturës politike, jo thjesht për përfaqësimin e tyre në parlament, por edhe rolin që luajnë brenda strukturave më të imta të PD-së, të nivelit të Kryesisë, të Këshillit Kombëtar, të grupseksioneve, të degëve dhe pse jo edhe të seksioneve.”