Pandemia e koronavirusit ka ndryshuar çdo aspekt të jetës sonë, atë sociale, fizike, ekonomike dhe psikologjike. Shumë prej nesh janë detyruar të punojnë nga shtëpia si masë kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Madje dhe në zyra punonjësit po përshtaten të punojnë me turne duke u kujdesur që në një hapësirë të jenë sa më pak persona.
Pikërisht shfrytëzimi sa më mirë i hapësirës në shtëpi dhe në zyrë mund të themi se ka ndryshuar rrënjësisht për shkak të pandemisë. Arkitektët, dizenjuesit dhe interioret kanë ndryshuar konceptimin e hapësirës së shfrytëzueshme për t’u përshtatur sa më mirë nevojave të kohës që po jetojmë.
Arkitektja Agisa Xhemalaj në një intervistë për tirananews.al tregon se si ka ndryshuar për profesionistët koncepti i shtëpisë dhe zyrës duke dhënë dhe disa këshilla se si mund t’i përshtasim këto ambiente në kohën e pandemisë, dhe pse jo të na shërbejnë dhe për më vonë.
Pandemia e koronavirusit ka prekur çdo fushë të jetës, ekonominë e njerëzve, punët e tyre dhe anën psikologjike. Shumë njerëz tashmë janë duke punuar nga shtëpia. Personalisht më është dashur të mbaj lap topin në kuzhinë për të punuar. Përsa i përket arkitekturës e ndërtimit, a mund të themi se pandemia ka ndryshuar konceptin e dizenjimit?
Periudha jo e lehtë të cilën po përjetojmë ka ndikuar dashur pa dashur në psikologjine e të menduarit, të perceptuarit e sidomos ka ndikuar në mënyrën e jetesës duke ndryshuar përditshmërinë tonë madje ka ndikuar aq fortë sa ka ndryshuar edhe zakonet e traditat tona. Arkitektura si një e mesme e artë ndërmjet artit dhe shkencës është shumë e lidhur me mënyrën e jetesës, psikologjinë e mënyren e të menduarit, pra me cdo gjë që na rrethon. Ajo është si një pasqyrë e cila në mënyrë të pashmangshme pasqyron të gjithë atë cka ndodh rreth nesh.
Periudha të cilën po kalojmë mund të themi se ka ndikuar patjetër në jetën e njerëzve por sigurisht edhe në mendësinë e botën e profesionistëve. Të gjithe jemi të vetëdijshëm se nëse deri dje flisnim për apartemente apo hapësira banimi iu referoheshim hapësirave minimaliste, sepse m2 përkthehet automatikisht në kosto dhe sigurisht hapësirat minimaliste vinin si rrjedhojë e kërkeses së investitorit në raport kjo me klientët por sigurisht edhe si pasojë sepse koncepti i “Shtëpisë ” deri para se gjithcka të ndalej ishte thjesht një vend ku të gjithë mblidheshim sëbashku në darkë pasi mbaronte lodhja, ritmi i tmerrshem i ditës, puna dhe ngarkesa. Sot ka ndyshuar totalisht koncepti, ” Shtëpia” është vendi më i sigurtë dhe psikologjikisht më i ngrohtë, vendi ku na duhet të kalojmë më shumë kohë, vendi të cilit i janë mbivendosur shumë funksione. Vështirësitë që kemi hasur këtë periudhë në funksionalitet për arsye të mbivendosjes së funksioneve në raport me hapësirat minimaliste na kanë bërë të kuptojmë rëndësinë që ka në kualitetin e jetës prania e hapësirave të bollshme ose në rastin e pamundësisë ekonomike prania e hapësirave minimaliste të zgjidhura funksionalisht mirë e me ngarkesën e duhur në interier.
Tashmë sipas dhe pasqyrës së OBSH për të mbajtur distancën fizike, dezinfektimin e ambienteve etj., a mund të themi se kërkohen hapësira më të mëdha?
Sigurisht të projektoj hapësira të bollshme është dëshira dhe ëndrra e cdo profesionisti por gjithmonë limitohet për një arsye apo një tjetër. Mendoj se do jetë e nevojshme dhe do ishte mirë nëse do ishte e detyrueshme në vazhdimësi në lidhje me normativat e projektimit të lihen hapësirat maksimale të shfrytëzimit brenda hapësirave të ndryshme të projektimit. Kjo do ishte një zgjidhje shumë e mirë për ndërtimet në vazhdimësi pavarësisht tipologjisë së ndërtimit.
Jo vetëm shtëpia por dhe zyra për njerëzit që vijojnë të shkojnë në punë dhe do të vijojnë për sa kohë do të zgjasë pandemia, si mund të rikonceptohen që punonjësit të ruajnë distancën fizike?
Nëse më lart folëm për tipologji të ndryshme objektesh që mund të ndërtohen në vazhdimësi për objektet ekzistuese sic janë institucionet,jemi realisht para faktit të kryer, kemi një numër të madh punonjësish në raport me hapësirat kështu që e vetmja zgjidhje ngelet puna online ose puna me turne, e vetmja mënyrë e cila do të ndihmonte në mbarëvajtjen institucionale por sigurisht edhe në një shëndet të mirë të punonjësve.
Sigurisht tashmë që dhe ekonomia është prekur nga pandemia, jo të gjithë njerëzit e përballojnë të marrin një shtëpi më të madhe. Cila është këshilla juaj, si mund ta arredojmë apo të krijojmë një kënd pune në mjediset e shtëpisë?
Optimalja do ishte një ambient banimi me hapësira të bollshme por në rastin e pamundësise ekonomike atëherë sigurisht që do tentohet drejt një ambienti minimalist të shfrytëzuar maksimalisht dhe sigurisht drejt një interieri në stil gjithashtu minimalist, madje kësaj do t’i mëshoja fort. Në përgjithësi klientët nuk e kanë sensin e masës në interier, kërkojnë të mbushin cdo cep, cdo faqe muri e sigurisht në hapësirat minimaliste këto zgjidhje bëhen mbytëse, të krijojnë idenë sikur ambienti është më i vogël e nuk të japin mundësi as të integrosh apo mbivendosesh funksione të përkohshme. Ka mënyra të tjera ku një pjesë e mobiljeve në dukje jo të shfrytëzueshme mund të kthen në kontenitor shumë funksional pjesë e interierit dhe ndërkohë apartamenti është funksional por edhe i pangarkuar.Në periudhën e vitit në të cilën jemi por edhe në vjeshtë do të sugjeroja ballkonet apo verandat si një postacion interesant dhe relaksues për të punuar në orët e vona të mbasdites apo dhe darkës./ tirananews.al