Detaje të reja publikohen nga vendimi i GJKKO-së për skandalin në Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me koncesionin e sterilizimit Në vendimin e gjykatës shkruhet se ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj qëndrojnë më shumë jashtë Shqipërisë se sa brenda vendit sipas sistemit TIMS dhe mundësia e largimit të tyre është shumë e madhe.
“Gjykata vlerëson se kemi të bëjmë me frikë, mendim dhe dyshim të arsyeshëm se të dyshuarit po të lihen pa masë mund të largohen për të pamundësuar apo penguar qëllimisht zhvillimin normal të procedimit penal, duke pasur parasysh pasojat e veprës dhe marzhin e dënimit të veprës penale që dyshohet se kanë konsumuar që dënohet në 7 dhe 10 vjet burgim. Gjithashtu gjykata çmon se ekziston rreziku që personat nën hetim Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj të largohen duke iu shmangur drejtësisë. Është për t’u përmendur fakti që këta persona në të shumtën e kohës qëndrojnë jashtë shtetit dhe nuk ndodhen në Shqipëri sipas sistemit TIMS. Këta persona janë me mundësi të larta financiare, mund të largohen lehtësisht nga territori shqiptar për të jetuar jashtë shtetit. Në këto rrethana rreziku i largimit dhe i fshehjes është tepër i lartë”, shkruhet në vendimin e gjyqtarit Erjon Bani.
Kujtojmë se tetë persona u vunë nën masa sigurie nga GJKKO, tetë vite pas firmosjes së koncensionarit të sterilizimit dhe tre vite pasi çështja u kallëzua në SPAK. Ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj në cilësinë e kryetarit të komisionit për koncensionarin me vlerë fillstare 9.6 miliardë lekë përfundoi nën arrest me burg për shpërdorim detyre. Së bashku me të edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, që dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe që kryeson konsorciumin.
Veç tetë personave, GJKKO i ka sugjeruar SPAK-ut që të ushtrojë ndjekje penale edhe për gjashtë persona të tjerë, përfshirë edhe ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani. SPAK shprehet se ka veçuar hetimet edhe për persona të tjerë të dyshuar në kontratën e partneritetit publik privat, të kallëzuar dhjetorin e 2019 nga Nisma Thurje.
Kontrata e sterilizimit u firmos në vitin 2015 nga ministri i Shëndetësisë dhe biznesmenit të kompanisë “Sani Service”, ndërsa edhe pse u kundërshtua nga ish-ministri i Financave, edhe ai e miratoi. Shkëlqim Cani ishte në SPAK një ditë më parë për këtë çështje si person që ka dijeni, pavarësisht se Gjykata Antikorrupsion ka vënë në pikëpyetje rolin e tij. Gjykata e Posaçme kërkoi vënien në lëvizje të ILDKPI për të shpallur të pavlefshme kontratën e sterilizimit, pasi u firmos në kushtet e konfliktit të interesave.