Berisha iu përgjigj deklaratave të Ramës gjatë vizitës në Dibër, duke e akuzuar për fyerje kolektive ndaj burrave të kësaj zone dhe për dështime të rënda në menaxhimin e projekteve madhore.
Berisha tha se Rama foli “me gjuhën e pushtuesit dhe të kopukut”, duke fyer dinjitetin e dibranëve. “Burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës, mjerë ai që i sulmon”, theksoi ai, duke kujtuar rolin patriotik të kësaj treve në historinë kombëtare.
“Këtu tani do i them Edi Ramës këto fjalë: Në Dibër, në këtë sallë ti erdhe me gjuhën e pushtuesit dhe gjuhë e kopukut. Të dyja. Në qoftë se mbrëmë në Kamzë unë të dhashë një përgjigje duke lexuar përroin tënd psikik frojdian, sot unë kam një përgjigje tjetër.
Ti erdhe, ti fole dje si kopuk, sigurisht që me ato ministreshat e tua që xhinglaminglohen në atë mënyrë. Tani të them unë dy, asnjë fjalë nuk të jap përgjigje sepse përgjigjen më të shkëlqyer ta dha dibrania në sallë, e cila u ngrit dhe të tha se burrat tanë janë të mrekullueshëm. Por do ta them këtë këtu, burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës, mjerë ai që i sulmon”.
