Admir Murataj ishte emri më i përfolur i viteve të fundit. Ai i humbi gjurmët 5 vite më parë pas arratisjes nga burgu i Trikallas në Greqi dhe që nga ajo kohë u përfol për një sërë grabitjesh në Shqipëri.
Ndonëse, nuk ra asnjëherë në pranga, ai mbeti i vrarë në supergrabitjen e Rinasit.
Vizion Plus ka siguruar një foto të Admir Murataj, e cila thuhet se është marrë nga kamerat e sigurisë së vilës së tij në fshatin Fushë-Prezë në Tiranë.
Foto thuhet se i përket vitit 2017, pak para se të kryhej grabitja e Qafë-Kasharit, ku arriti t’i shpëtojë operacionit policor dhe u arrestuan vetëm bashkëpunëtorët e tij.
Ndërkohë, lidhur me grabitjen e fundit në Rinas janë arrestuar 6 persona. Në kërkim janë shpallur dy vëllezërit Klement dhe Eldi Çala. Dyshohet se Murataj dhe Klement Çala kanë pasur rolin kryesor në grabitje.