Ashtu si pjesa më e madhe e Evropës, edhe Italia është goditur së fundmi nga moti i keq me stuhi shiu, dallgë të forta detare dhe reshje bore. Gjithashtu përmbytje, bllokime dhe dëme të konsiderueshme.
Vlerësimi i ri i dëmeve nga vala e fortë e motit të keq që goditi Siçilinë, deri mbrëmë arrinte në 720 milionë euro, siç njoftoi guvernatori rajonal i ishullit, Renato Schifani.
Siç deklaroi ai, shpallja e Siçilisë në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të fatkeqësive natyrore, siguron shpërndarjen e menjëhershme të 70 milionë eurove, të cilat synojnë të mbulojnë nevojat më të menjëhershme që vijnë nga moti i keq.

Në Sardenjë, presidentja e rajonit, Alessandra Tode, tha se dëmi vlerësohet në qindra milionë euro. Në të njëjtën kohë, ajo kërkoi takime të menjëhershme me qeverinë në Romë, me qëllim sigurimin e mbështetjes së nevojshme financiare.
Valët shumë të larta dhe reshjet e vazhdueshme shkaktuan gjithashtu, sipas autoriteteve lokale, dëme serioze në pasurinë arkeologjike të ishullit.
Situata ishte veçanërisht shqetësuese në Kalabri. Sipas vlerësimeve, brigjet e rajonit, të cilat lagen nga Deti Jon, u mbuluan nga valë deri në nëntë metra të larta.
“Kjo është një lartësi ekuivalente me një ndërtesë apartamentesh me katër kate”, tha kreu i Mbrojtjes Civile të Kalabrisë, Fabio Ciciliano.
Siç shtoi ai, vala e motit të keq u shoqërua me erëra që tejkaluan 110 kilometra në orë, duke përkeqësuar shkatërrimin në zonat bregdetare dhe infrastrukturën.
