Peshëngritësi Daniel Godelli ka në dorë armë të fortë që shpreson te rrëzojë akuzat për përdorim të dopingut, duke i hequr edhe pezullimin për mospjesëmarrje në aktivitetet ndërkombëtare.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Godelli thotë se ka kryer analiza të tjera shtesë dhe bën të ditur se substanca ostarinë, që u zbulua në testin e antidopingut të kryer më 19 Prill të vitit të kaluar, vinte nga një suplement i kontaminuar.
Ai pret që të dalë para panelit të Agjencisë Ndërkombëtare të Antidopingut për të dhënë dëshminë e tij me synimin për ta mbyllur sa më shpejt këtë çështje e të marrë pafajësinë. Pas kësaj, ai do të vendosë për hapat e mëtejshëm që do të ndjekë.
Peshëngritësi shqiptar në mesazhin e tij shtoi se kjo doli pas kontrollit në laboratorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Antidopingut.
Godelli tha se në fletën sqaruese të suplementit nuk shfaqej ostarina. Ai është pezulluar provizorisht. Gara e fundit e zhvilluar nga Daniel Godelli është pikërisht Europiani i Prillit të 2023 i mbajtur në Armeni, ku edhe u krye kontrolli i antidopingut.
33-vjeçari është pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të 2012 dhe shumë aktivitete ndërkombëtare, ku ka fituar edhe medalje.