Policia e Durrësit ka zbardhur dinamikën e krimit të rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Manzë.
Aranit Kurti, 23 vjeç dhe Flori Paluçi, 33 vjeç humbën jetën pas një konflikti të armatosur. Sherri nisi për motive banale dhe përfundoi me të shtëna armësh.
Lidhur me ngjarjen policia ka arrestuar 4 shtetas, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.
Në pranga kanë rënë shtetasit E. C., 25 vjeç dhe E. K., 21 vjeç, si dhe shtetasit T. B., 37 vjeç dhe E. B., 34 vjeç, vëllezër, të katërt banues në Manzë.
Në kërkim vijon të jetë Daniel Pepa, 21 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” si dhe është shpallur në kërkim shtetasi G. A., 30 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari E. C.).
Pas konfliktit verbal, Daniel Pepa është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar E. K. dhe nga shtetasi Aranit Kurti.
Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë.
Në këtë moment shtetasi Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit Flori Paluçi, të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Daniel Pepa dhe Aranit Kurti (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin Flori Paluçi).
Si pasojë u vranë shtetasit Flori Paluçi dhe Aranit Kurti.
Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja me Daniel Pepën.
Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Flori Paluçi, shtetasin Daniel Pepa, si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim G. A..
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për të siguruar çdo provë që do t’i shërbejë hetimit për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
