Sulmi nga presidenti serb Aleksandar Vuçiçt kundër njërit prej njohësve më të mirë të politikave të Ballkanit, analistit dhe profesorit Edward Joseph, dënohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit. “Nuk ka vend në shoqëritë demokratike për taktikat e njollosjes kundër qytetarëve, sikurse ato që janë përdorur ndaj Joseph”, është mesazhi i postuar në faqen e Twitterit të DASH-it.
Zërat e pavarur dhe organizatat e shoqërisë civile promovojnë llogaridhënien dhe transparencën, nënvizohej aty. “Ne vlerësojmë ata që ndërtojnë shoqëri paqësore në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në mesazhin e shoqëruar me një fotografi të Josephit së bashku me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar.
Gjatë një paraqitjeje në televizionin Prva, Vuçiçi e quajti Josephin, profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-kreu i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, “një agjent shqiptar”, më tej, ai e etiketoi edhe më fjalë ofenduese dhe deklaroi se eksperti i Ballkanit, merr “shumë para nga lobi shqiptar”.