Namik Ajazi regjisori i njohur rrëfeu sot historinë e njohjes me partneren e tij, ish-deputeten Majlinda Bregu.
I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan Ajazi tregoi se është i martuar prej 22 vitesh me Bregun, dhe janë prindër të dy fëmijëve.
Në studio, ai ka treguar se ka qenë realizimi i kronikës për kolerën, që u bë shkak i njohjes midis tyre. Ajazi kishte udhëtuar për të bërë një kronikë për epideminë e kolerës dhe të dy do të punonin me të njëjtin operator.
“Jemi njohur në TVSH, ishte një moment në ’94, kur u fol për një epidemi kolere. Unë vij nga Telenorba për të xhiruar diçka, me një grup miks, pra do të përdornim të njëjtin operator dhe Majlinda asokohe bashkëpunonte me televizionin, ishte në vitin e fundit në Fakultetin e Shkencave Sociale, bashkëpunonte me televizionin si gazetare dhe spikere lajmesh e orës 20:00. Kështu që qëlluam që bëmë atë udhëtim bashkë për të bërë kronikën. Nuk ishte mbase kolera, por kjo u bë shkak i njohjes mbas së cilës ne filluam të takoheshim. Unë vendosa të bëj hapin e madh të fejoheshim dhe të krijonim familje”.