Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u takuan mbrëmë në Athinë në darkën informale për Ballkanin dhe biseduan për deklaratën e ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, i cili tha se “Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi i kanë bërë keq Serbisë duke njohur pavarësinë e Kosovës”.
“Kemi biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Athinë. Ai më siguroi se si përfaqësues i shtetit serb, popullin maqedonas dhe shtetin maqedonas i konsideron jashtëzakonisht miqësor dhe se nëse ndonjë qytetar maqedonas ofendohet nga ndonjë mesazh nga shteti serb, ai personalisht do të kërkojë falje”, ka njoftuar Kovaçevski në faqen e tij në Facebook.
Më herët ndaj deklaratës ka reaguar shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili ka bërë të ditur se “Maqedonia e Veriut hedh poshtë ndërhyrjet dhe vërejtjet e pahijshme të zyrtarëve fqinj.
“Ne qëndrojmë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Presim sqarim nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, shton Osmani në postimin në Facebook.