Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së një dite më parë të presidentit maqedonas Stevo Pendarvoski. Në një postim në Twitter Rama e quan çudi qasjen e tij, duke theksuar se Shqipëria dhe shqiptarët kanë kontribut kyç në zhvillimet demokratike të shtetit fqinj.
“Presidenti Stevo Pendarovski nënkupton favorizimin e ndarjes nga Shqipëria në vendimin për negociatat? Çudi kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë&shqiptarëve në zhvillimet demokratike&rrugën europiane të shtetit mik.S’duket as e drejtë as praktike faktikisht!”, shkruan Rama.
Një ditë më parë presidenti i Maqedonisë së Veriut kërkoi që përsa i përket çeljes së negociatave vendi i tij të trajtohet “veçuar” nga Shqipëria. ““Problemi më i madh është ‘ndarja’ me Shqipërinë. Shqipëria tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë, dhe ne jemi ‘veçuar’“, tha Pendarvoski një ditë më parë.