BESART KADIA / Para disa kohësh, pas një konference të organizuar nga Instituti Pashko në kuadrin e promovimit të ideve pro-treg e konkurrencës së lirë e të drejtë, të cilat strehohen nën ideologjinë liberale, ishzv.ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, bëri një shënim ku thuhej se ka ardhur koha për të “hedhur një bombë për të mbledhur mendjen ne, bashkë me sharlatanët e këtij vendi”.
Në artikullin e publikuar si replikë shkrova se, “Bomba nuk është zgjidhja zoti Hila”.
Por që atëherë, ideja e bombës dhe e molotovit është rikthyer në diskursin publik si diçka normale e si zgjidhje ndaj problemeve të Shqipërisë. Ishte po aq befasues sa dhe shkrimi i Dritan Hilës reagimi i Andi Bushatit, në emisionin “Të paekspozuarit” se: “Për shembull, mua do më shkonte mendja që një bombë molotov mund t’i hidhej edhe biznesit të një klienti të Edi Ramës”. Po aq befasues ishte reagimi i Lulzim Bashës se: “Absolutisht, jam dakord që e meritojnë edhe bizneset, që grabisin miliona dhe ndonjë që ushqehet prej grabitqarëve”.
Duhet pak reflektim … Si mundet të pranojmë kaq lehtë idenë e dhunës në publik? Si mundet kryetari i opozitës të bjerë në grackë populiste e të thotë me lehtësi se e meritojnë një gjë të tillë biznesmenët? Me çfarë autoriteti moral, intelektual, politik apo civil mundet që të themi se zgjidhja e problemit, nëse ka problem, qenka bomba molotov?
Zoti Bushati, Hila dhe në këtë rast Basha duhet të kuptojnë se sa më i vogël të jetë numri i aktiviteteve të qeverisë, aq më e vogël është nxitja e individëve për t’iu ofruar ryshfet zyrtarëve. Një argument shumë më i fortë mund të gjendet në marrëdhëniet midis nivelit të korrupsionit në shoqëri dhe shkallës së ndërhyrjes së qeverisë në treg. Në një shoqëri ku tregu është përgjithësisht i lirë dhe qeveria është e kufizuar në mbrojtjen e jetës, lirisë dhe pronës së fituar me ndershmëri të qytetarëve, niveli i korrupsionit bie. Ndaj, po të rikthehemi te debati i “bombës”, ne thjeshtojmë një debat të rëndësishëm ideologjik e shtetformues, duke dhënë zgjidhje revolucionare tipike të majta që janë: dhuna e shuarja. Problemi nuk është BIZNESI apo biznesmeni. Këta biznesmenë shqiptarë janë dhe në krah të kryeministrave maqedonas, kosovarë e malazezë. Por, nuk dëgjohet prej këtyre shteteve që biznesmenëve shqiptarë t’u hidhet bomba molotov. Mendojeni pak fjalinë e zotit Bushati të përkthyer në anglisht e të dalë në një media të huaj: – “We should throw a molotov bomb to business people close to Edi Rama” dhe lideri i opozitës që i përgjigjet: – “I agree!”. – “Dear GOD!”, do ishte reagimi.
Rikthehemi dhe njëherë te debati, përse bizneset shqiptare bëjnë korrupsion? A bëjnë korrupsion se janë të paafta dhe në sajë të korrupsionit ecin përpara apo sepse janë të afta e sistemi pa korrupsion nuk i lejon të ecin përpara? Apo të dyja?
OKB-ja në një studim të bërë për rastin e Shqipërisë gjen se qëllimet më të zakonshme të dhënies së ryshfeteve, siç janë cituar nga bizneset, janë: “Përshpejtimi i procedurave të lidhura me biznesin” (39.1 për qind e të gjitha ryshfeteve), “mundësimi i finalizimit të një procedure” (16.8 për qind), “përfitimi i trajtimit më të mirë” (7.2 për qind), “ulja e shpenzimeve për një procedurë” (6.6 për qind) dhe “marrja e informacionit” (2.8 për qind).
Pra, rikthehemi edhe njëherë te debati. Rama e qeveria e tij dhe shteti jonë është një shtet që nuk performon. Është një shtet i ngurtë e grabitqar. Është një shtet me institucione akoma të dobëta. Është një shtet, që i jep shumë pushtet Kryeministrit e më pak individit e biznesit. Pa dyshim që në këtë sistem, bizneset që janë pranë qeverisë përfitojnë. Por këto raste shqyrtohen ligjërisht e institucionalisht. Detyra e Bushatit dhe e Bashës është të na japin zgjidhjen se si këto fenomene nuk do të përsëriten në të ardhmen. Por të thuash “bomba molotov është zgjidhje”, është sa shqetësuese aq edhe qesharake. Duke bërë një debat shumë të rëndësishëm, si ai i mirëfunksionimit të shtetit, në një debat qesharak prej njerëzve të rritur e “kultivuar” në regjimin komunist të “barazisë në mizerje”.
Edi Rama e Lulzim Basha nesër do të jenë në biznes. Biznesi i vetëm që shteti mund t’i garantojë sukses është blerja dhe shitja e favoreve dhe privilegjeve dhe me pushtetin që ne i japim Kryeministrit, kjo do të vazhdojë. Ndaj, bomba molotov është një harxhim parash, që nuk zgjidh asgjë thelbësore. Sepse problemi është dhe do të mbetet pushteti e shteti. Fundi i korrupsionit politik, qoftë “i vogël” apo “i madh”, do të vijë vetëm me largimin e qeverisë nga jeta shoqërore dhe ekonomike. Kur qeveria të jetë e kufizuar vetëm më funksionin e mbrojtjes së jetës dhe pronës sonë, atëherë do të mbetet shumë pak për të blerë dhe shitur politikisht. Korrupsioni atëherë do të jetë i rrallë dhe jo një aspekt i pashmangshëm i jetës shoqërore dhe ekonomike. Ndaj, bomba molotov e Hilës dhe Bushatit na kthen pas… shumë pas në kohë. Studime në USA tregojnë se njerëzit që ndiheshin të privuar financiarisht ishin shkaktarë te një sërë sjelljesh imorale; dhe hedhja e bombës është imorale….