Është publikuar edhe pjesë e tretë e audio-përgjimit të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, që komunikon me zyrtarin e lartë të Listës Serbe, Slavko Simiç.
Në këtë inçizim të publikuar nga “Nacionale” deputetja Kusari-Lila, ankohet te Sllavko se Ramush Haradinaj po i fryn listat e veteranëve të UÇK-së. Po ashtu, ajo e quan Uran Ismailin ‘’idiot patetik’’ dhe e pyet Sllavkon “a e din ti bre kush është Bekim Haxhiu?”.
“Dëgjo Sllavko, më vjen vërtet keq për gjithçka që po ndodh. Unë, nga të gjithë njerëzit këtu, do të dëshiroja që së pari Kuvendi të funksionojë si duhet. Ti e di që unë nuk kam qenë me Vetëvendosjen kur kanë bërë atë çfarë kanë bërë…” , dëgjohet duke i thënë Kusari politikanit Simiq në nisje të incizimeve të sotme.
Deputetja tenton ta bindë Simiçin se ajo nuk ka dhe nuk ka pasur “agjendë destruktive.” Kusari-Lila e quan Uran Ismailin “idiot patetik” para deputetit serb megjithëse e pranon se me të kishte pasur dikur shoqëri.
“Aq ma bën për Uran Ismailin. Ai është… Ka vdekur ai lajm. Ai është idiot patetik, të them. Urani ka qenë shok i imi. Me Uranin kemi qenë në Qeveri, kur unë kam qenë Ministre. Me Uranin kemi pasur shoqëri të mirë. Urani ka qenë një nga djemt urbanë që kanë shkuar në PDK”, dëgjohet derisa i thotë shefja e grupit parlamentar të VV-së.