Deputeti i opozitës së re parlamentare, Ligoraq Karamelo, ishte i vetmi nga kuvendi që votoi kundër dhurimit të 17 apartamenteve në varësi të Bashkisë së Tiranës, për familjet e prekura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit. Në një prononcim për Shqiptarja.com, Karamelo thotë se kjo votë kundër erdhi për shkak se sipas tij, ato janë banesa sociale që u hiqen të pastrehëve dhe u jepen të prekurve nga tërmeti. Deputeti Ligoraq Karamelo tha se këto apartamente nuk duhej të dhuroheshin pa ndryshuar më parë ligjin.
“Ai fond për familjet, dhurimi i apartamenteve është në shkelje të ligjit, është për propagandë. Sepse ato fonde janë të përcaktuara me ligj për të pastrehët dhe nuk mund të ndryshohet destinacioni i tyre pa ndryshuar ligjin. Ato familje që do jepen, kush i cakton kriteret? Kjo tregon që mund të bëhet ndryshimi i fondeve për një palë në kurriz të palës tjetër dhe kjo është e padrejtë. Edhe familjet e pastreha janë në hall dhe kanë problemet e tyre. Fondi që është për banesat sociale për të pastrehët nuk mund të jepet për të tjerët. E gjitha ishte thjesht një propagandë dhe zgjidhin një hall duke krijuar shqetësime të tjera. Zgjidhja e problemeve të tërmetit duhet të bëhet në tërësi dhe mbi bazën e një transparence të thellë. Duhej ndryshuar ligji që fondet që ka marrë qeverisja vendore për banesat sociale, dhe të përcaktohej edhe për situatë emergjence. Duhet të ishte përcaktuar mënyra si do të jepen dhe se kush do t’i marrë ato. Mund të jenë edhe me prapavijë politike, që mund të jepen sipas preferencave partiake që kanë”, u shpreh Karamelo.