Deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste Etjen Xhafaj, ka komentuar ftesën për bashkëpunim të kryeministrit Edi Rama për kryedemokratin Lulzim Basha. Ai u shpreh se gjatë këtij mandati qeverisës, duhet që të shkëputemi nga periudha e tranzicionit.
“Po flasim për Shqipërinë që duhet t’i japë fund tranzicionit. Nuk ka më vend për kriza, sidomos për kriza të stisura. Ajo që është dhënë është një mesazh dhe një dorë e shtrirë për të ndërtuar një urë bashkëpunimi për brezin tonë. Nuk mund të vijohet kështu, kur njerëzit vriten për votë. Nuk mund të vazhdojmë dhe të drejtojmë gishta dhe të themi që nuk do të njohim zgjedhjet, të dëmtojmë godina private dhe publike dhe të djegim. Sovrani ka dhënë një mandat shumë të qartë. Ka ardhur koha ta zbatojmë këtë mandat dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”, tha ai për Vizion Plus.