Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi e cila është me grupin e Alibeajt, ka shprehur zhgënjimin e saj, pasi opozita nuk arriti që të zgjidhte Avokatin e Popullit, pasi deputetët e saj nuk i bashkuan votat. Çupi në emisionin “Pa Çensurë”, tha se situata brenda PD-së është qesharake, ndërkohë që ka shtuar se nuk është Berisha ai që do t’i sjellë sukses opozitës.
“Jemi bërë një grup që qeshemi në seancat parlamentare dhe demokratët nuk e duan këtë. Opozita bashkohet duke u shmangur nga sedra personale, nga interesat personale, nga përllogaritjet individuale, por duke patur interesin e demokratëve në radhë të parë. Opozita duhet të jetë e bashkuar, duhet të jetë me 1 kandidat në zgjedhjet vendore.
Të gjithë individët që ndikojnë në përçarjen e opozitës apo grupimi që do të tentojë përçarjen, do të kenë përbuzjen e demokratëve. Nuk bëhet opozitë ndaj kësaj qeverisje vetëm duke mbajtur një fjalim në parlament dhe secili sipas qasjes personale”, u shpreh zonja Çupi, duke theksuar se edhe nën drejtimin e zotit Berisha, PD nuk është aty ku duhej të ishte.