Një 14-vjeçar është vrarë në fshatin Pirg në Maliq. Sipas të dhënave paraprake, sherri ka ndodhur në ambientet e një lokali dhe dyshohet se është përdorur një thikë.
Si pasojë e plagëve të marra, adoleshenti E.XH ka ndërruar jetë në spital. Autori i dyshuar, gjithashtu 14 vjeç, është shoqëruar në spital për trajtim mjekësor dhe ndodhet nën mbikëqyrjen e policisë. Autori dhe viktima kanë pasur konflikt më herët mes tyre, por ende mbetet e paqartë arsyeja.
Ajo çka dihet është se të rinjtë kanë debatuar edhe në rrjetet sociale më parë. Sipas të dhënave ditën e sotme ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të lokalit në fshatin Pirg. Dy adoleshentët janë takuar për t’u sqaruar, por kanë debatuar mes tyre dhe më pas janë konfrontuar fizikisht.
Viktima ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të marra me thikë. Sakaq mësohet se autori ka dëmtime, por jo me thikë dhe është duke u marrë në pyetje nga policia në ambientet e spitalit.
