Pasi në Bruksel nuk pati dritë jeshile, funksionarë të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti kanë hedhur akuza të forta ndaj ndërmjetesëve europian duke aluduar se ata po mbajnë anën e Serbisë në bisedime. Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit ka publikuar një dokument që sipas tij gjashtë muaj më parë është propozuar nga Serbia. Ai thotë se i njëjti dokument është propozuar nga shefi i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
”Një dokument gjashtëmujor i vjetër u përdor sot nga lehtësuesi për të mbuluar mungesën e pjesëmarrjes së Serbisë në përpjekjet për një plan . Megjithatë, dokumenti është shumë i dobishëm për të kuptuar se si gjendja e Vuçiçit u bë pozicion i BE-së”, ka shkruar Zulfaj.
Në dokument thuhet se deri në fund të marsit duhet të ketë një draft status për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ky proces do të vazhdojë sipas propozimit deri në fund të tetorit 2023 ku do të përfundojë themelimi i Asociacionit.
Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, ka akuzuar ndërmjetesit europian se po mbajnë anën Serbisë. ”Në vend të një propozimi real, HR Borrell i BE-së paraqiti një nga kërkesat 6-mujore të Serbisë, duke e maskuar atë si një propozim kompromisi që vjen nga BE-ja. Borrell dhe Lajçak as nuk po përpiqen ta fshehin më”, ka shkruar Murati.